Dogana e Kosovës ka njoftuar se oficerët doganorë në pikën doganore të Vermicës kanë parandaluar disa dërgesa të postave të shpejta gjatë tentativave për kontrabandim të mallrave të ndryshme.
Në njoftim thuhet se vlera e përafërt e këtyre mallrave, sipas vlerësimeve fillestare, kalon shumën prej 5,000 eurosh, ndërsa zyrtarët doganorë janë duke verifikuar saktësisht vlerën totale të produkteve si dhe përputhshmërinë e dokumentacionit të dërgesave me rregullat doganore në fuqi.
Ndaj personave përgjegjës janë inicuar procedurat kundërvajtëse, ndërsa mallrat janë sekuestruar në përputhje me ligjin.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, transparencën dhe integritetin në çdo procedurë doganore, duke parandaluar çdo tentativë për shmangie të detyrimeve ligjore dhe dëmtim të tregut të ndershëm.






