Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat, mbi 200 mijë qytetarë kanë lënë Kosovën gjatë pesë viteve të fundit, për të kërkuar strehim në Bashkimin Europian.
Ky numër përfaqëson më shumë se 12% të popullsisë të përgjithshme duke e bërë migrimin një sfidë serioze socio-ekonomike për Kosovën.
Vetëm në vitin 2024, mbi 35 mijë qytetarë kanë aplikuar për lejeqëndrim në shtetet e BE-së, me Gjermaninë si destinacionin më të preferuar.
Sipas ekspertëve të fushës, ky trend po tregon një ikje të vazhdueshme që lidhet ngushtë me mungesën e perspektivës në vendin tonë, pagat e ulëta, papunësinë dhe mungesa e kushteve ekonomike.
Sindikalistë, politikanë e ish-ministra kanë komentuar gjendjen e migrimit duke fajësuar kryesisht Qeverinë për dështimin e saj rreth përmirësimit të mirëqenies sociale.
Jusuf Azemi kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat ka deklaruar se numri i qytetarëve të larguar nga Kosova është shumë më i lartë se shifrat zyrtare.
Sipas Azemit, pjesa dërrmuese e ikjeve është nga punëtorët në sektorin privat por ka edhe nga punëtorët e sektorit publik.
Azemi shton se mungesa e sigurisë në punë dhe perspektives, kanë shtyrë qytetarës drejt ikjes jashtë vendit.
E deputeti i PDK-së, Ferat Shala, fajëson Qeverinë për situatën ekonomike dhe largimin masiv të të rinjve nga vendi.
Sipas Shalës, mungesa e vendeve të punës dhe poashtu fuqisë punëtore janë pasojë direkte e keqqeverisjes.
E ndërkaq Ismet Mulaj, ish-ministri i Tregtisë ka hedhur kritika kundrejt qeverisë Kurti për dështimin në përmbushjen e pritjeve të qytetarëve.
Sipas tij, shumë kishin shpresuar se me Vetëvendosjen do të hapej një kapitull i ri zhvillimi për Kosovën, por kjo nuk ka ndodhur.
Largimi i qytetarëve nga Kosova përveq që po ndikon në uljen e fuqisë punëtore, ndikon negativisht edhe në strukturën demografike të Kosovës, sidomos sipas matjes së fundit të popullsisë në Kosovë.
Largimi i qytetarëve vërehet edhe në uljen e numrit të nxënësve dhe të studentëve.
Gjermania mbetet destinacioni më i preferuar për qytetarët kosovarë.
Sipas disa të dhënave të autoriteteve të Kosovës, në Gjermani jetojnë rreth 600.000 shtetas të Kosovës. MPJD ka kumtuar nga fundi i vitit 2023 se jashtë vendit jetojnë rreth 54% e popullatës me origjinë nga Kosova.
Ndërkohë që numri është rritur.




