Agim Shahini nga Agjencia Kosovare e Biznesit, rreth raportit të Bankës Botërore se zhvillimi ekonomik në Kosovë, por edhe në tërë Ballkanin Perëndimor sivjet ka pasur ngadalësim dhe se ritmi parashikohet të vazhdojë, tha se kjo duhet të ishte reflektim për Qeverinë.
Ai ka hedhur kritika ndaj pushtetit duke thënë se qeveria nuk po brengoset as për sanksionet nga Bashkimi Evropian e që kjo qetësi qeverisëse konsiderohet shqetësim për bizneset.
“Raportet e Bankës Botërore vërtetojnë të gjitha pohimet e tona që ne vazhdimisht kemi ngritur shqetësime që Kosova ekonomikisht është në rënie, dhe kjo neve na thotë që mesatarisht rënia e zhvillimit ekonomik të Kosovës në mënyrë financiare në këtë vit mund t’i humbim 100 milionë euro pa të hyra apo qarkullim për shkak se ka rënë trendi i rritjes ekonomike”.
Sipas Shahinit rezultatet kanë ndikuar në gjithëqka duke filluar nga të hyrat e Kosovës në zhvillim, investime, qarkullim i brendshëm, rritje, inflacioni normalisht e ka peshën e vet dhe ngritja e çmimeve ka peshën e vet, varfëria e skajshme.
“Banka Botërore e qet Kosovën në vendet më të varfëra në Evropë pas Ukrainës dhe gjithë kjo kur t’i bashkohet sanksioneve ekonomike nga EU dhe përjashtimi i Kosovës nga dialogu si partner strategjik i SHBA-së, ndikon drejtpërdrejtë në performancat e investitorëve të huaj për të ardhur në Kosovë”, theksoi ai.




