Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një intervistë për RTK-në ka njoftuar se sonte do të nisë numërimi i fletëvotimeve për kryetarë komunash, ndërsa nga nesër për kuvende komunale.
Elezi ka thënë se në ora 19:30 do të kenë të dhëna preliminare për pjesëmarrjen në zgjedhje ndërsa besojnë që brenda një kohe të shkurtër do të mund të fillojë edhe procesi i numërimit të fletëvotimeve që sipas ligjit fillohet me kandidatët për kryetarë komunash.
Elezi ka shtuar se kësaj radhë përditësimet e të dhënave kanë qenë më të shpejta se ato të zgjedhjeve lokale të kaluara.
Elezi ka folur edhe për numrin e votuesve duke thënë se numri i tyre bazohet në ekstraktin e regjistrit qëndror civil që është i lidhur me sistemin e adresave.




