Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj raportimeve për mobilizimin e organizuar të qytetarëve serbë në veri të vendit nga Lista Serbe, një veprim që konsiderohet i kundërligjshëm dhe ndërhyrje në procesin zgjedhor të Republikës së Kosovës.
E pyetur nga gazetarët për këtë, Osmani tha se ndërhyrjet nga Serbia nuk janë të reja, por se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të garantuar një proces të lirë e demokratik për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata në veri.
“Siç e dini, Serbia vazhdimisht ka ndërhyrë në proceset zgjedhore në Kosovë. Ne, natyrshëm, me institucionet tona të sigurisë, do të bëjmë çmos që të gjithë qytetarëve, përfshirë në veri, t’iu garantohet e drejta e votës dhe liria për të zgjedhur”, tha Osmani.
Ajo shtoi se ndërhyrjet e tilla përbëjnë shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe bëri thirrje për një përfshirje më aktive të institucioneve ndërkombëtare, pas reagimit të Raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën.




