Deri në muajin tetor të këtij viti sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat 26 punëtorë kanë gjetur vdekjen në vendin e punës.
Por sipas Inspektoriatit të Punës shifrat janë ndryshe, sipas tyre brenda kësaj periudhe kohore 13 punëtorë kanë vdekur në vend të punës, ndërsa kanë ndodhur 412 aksidente.
Këto të dhëna u bënë të ditura në Konferencën e 11-të Ndërkombëtare me temën “Siguria në Punë dhe në Transport – Qasje të Integruara për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe për Mbrojtjen e Jetës”
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi deklaroi se qeveritë e deritanishme nuk kanë bërë asgjë për sigurinë e punëtorëve në sektorin privat.
Azemi gjithashtu ka fajësëuar edhe Inspektoratin e Punës që sipas tij në rastet e vdekjeve të punëtorëve, e kanë ndihmuar pronarin e kompanisë dhe kanë lënë fajtor punëtorin e vdekur.
Sektoret që po preken më së shumti nga aksidentet në punë janë ndërtimtaria, prodhimtaria dhe sektori i përpunimit.
Në këtë konferencë u bë thirrje që të përmirësohet siguria në punë pasi që nuk është luks por është nevojë.




