Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, ka njoftuar se në kuadër të takimit të Kartës së Adriatikut A5– SHBA, që u mbajt më 13 dhe 14 tetor në Sarajevë, mori pjesë drejtori i Drejtorisë për Politika të Mbrojtjes, Faruk Geci.
Në adresimin e tij, z. Geci theksoi rëndësinë e forcimit të qëndrueshmërisë kombëtare dhe rajonale, si dhe angazhimin e Republikës së Kosovës për të kontribuuar në sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Ai theksoi përparimin e vazhdueshëm drejt arritjes së kapaciteteve të plota operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës deri në fundin e vitit 2028 dhe fillimin e vitit 2029, në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës te Tranzicionit.
Mes tjerash, z.Geci nënvizoi domosdoshmërinë e anëtarësimit të plotë të Republikës së Kosovës në Kartën e Adriatikut A5 – SHBA për forcimin e bashkëpunimit rajonal, besueshmërisë dhe gjithëpërfshirjes në kuadër të nismave euroatlantike.
Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit, partneritetit dhe promovimit të paqes e stabilitetit në rajon.





