Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot se procesi i numërimit dhe verifikimit të rezultateve në kuadër të zgjedhjeve lokale ka përfunduar në nëntë komuna të vendit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha në konferencën e sotme për media se aktivitetet po vazhdojnë në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit, ndërsa në disa prej tyre tashmë procesi është mbyllur me sukses.
“Deri më tani, aktivitetet në Qendrat Komunale të Numërimit janë përmbyllur në nëntë komuna: Hani i Elezit, Junik, Mamushë, Zveçan, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Deçan, Shtime dhe Klinë,” tha Elezi.
Elezi po ashtu bëri të ditur se deri në orën 16:00 janë verifikuar rezultatet për 1,133 vendvotime për kryetarë komunash dhe 1,084 vendvotime për Kuvendet Komunale, ndërsa po nga kaq vendvotime janë numëruar votat e kandidatëve për kuvende komunale.
Rezultatet nga këto procese, sipas tij, po publikohen në platformën zyrtare të KQZ-së resultslocal2025.kqz-ks.org, ku qytetarët mund t’i shohin të dhënat vendvotim pas vendvotimi.
Elezi shpjegoi edhe për fletvotimet e rezufuzuara që ishin rreth 2 mijë e 400.
“Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako, në 2,358 pako, është sepse mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument, me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ-ja”, tha Elezi.




