Ministri në detyrë I Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla gjatë vizitës së tij në Londër ka takuar Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar (NCA), z. Graeme Biggar.
Gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin e ndërsjellë në luftimin e krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore, financimit të terrorizmit dhe kërcënimeve të tjera që cenojnë sigurinë e përbashkët.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për të qenë partner i besueshëm në arenën ndërkombëtare të sigurisë dhe për të ndërtuar institucione të forta, të qëndrueshme dhe profesionale në bashkëpunim me aleatët tanë.”, shkruan Sveçla.
Postimi I plotë:
Gjatë vizitës sime zyrtare në Londër, pata kënaqësinë të takohem me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Krimit të Mbretërisë së Bashkuar (NCA), z. Graeme Biggar ku diskutuam thellësisht për bashkëpunimin e ndërsjellë në luftimin e krimit të organizuar, trafikimit të qenieve njerëzore, financimit të terrorizmit dhe kërcënimeve të tjera që cenojnë sigurinë tonë të përbashkët.
U dakorduam për intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimin e informacioneve dhe ndërtimin e kapaciteteve profesionale në fushën e sigurisë.
Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për të qenë partner i besueshëm në arenën ndërkombëtare të sigurisë dhe për të ndërtuar institucione të forta, të qëndrueshme dhe profesionale në bashkëpunim me aleatët tanë.




