Lëvizja Vetëvendosje dje përmes një postimi në Facebook, shprehu përkrahjen për protestën e 17 tetorit në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Mirëpo në postimin e tyre ata kërkojnë që disa politikanë duhet të tregojnë pendesë për lobimin pro kësaj gjykate.
Ata përmendin edhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për të cilin thonë se kishte ardhur për vizitë emergjente me helikopter për të bindur votimin pro kësaj gjykate.
Kjo ka ngritur një përplasje verbale mes LVV-së dhe Kryeministrit Edi Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është kundërpërgjigjur këtij shkrimi përmes një postimi në platformën X.
Rama në X ka shkruar se LVV po ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës dhe Shqipërisë me çorbën e balotazheve komunale.
Ai shton se para 10 vitesh, LVV nuk e njihte as himnin e Kosovës e lëre më pafajësinë e Hashim Thaçit, qe sipas tij, e donin përjetësisht në Hagë.
Rama i kujton Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës.





