Komisioni Evropian ka lëshuar fonde për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si pjesë e Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
“Ky vendim njeh reformat e rëndësishme që partnerët kanë bërë për t’u përshtatur më mirë me standardet e BE-së”, tha Komisioni Europian.
Kjo lëvizje e KE-së vjen menjëherë pas vizitës së presidentes Ursula von der Leyen në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Që nga fillimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, shumat totale të shpërndara arrijnë në 99.3 milionë euro për Shqipërinë, 18.3 milionë euro për Malin e Zi dhe 25 milionë euro për Maqedoninë e Veriut.
KE tha se Plani i Rritjes stimulon përgatitjet e partnerëve të zgjerimit për anëtarësim në BE, duke sjellë përfitime përpara integrimit të plotë në BE.
Ndërkohë, Kosova vazhdon të humbë miliona meqë ende nuk ka përfituar nga kjo paketë miliardëshe për shkak të mungesës së institucioneve. BE i ka kërkuar Kosovës që të themelojë institucionet e reja pas zgjedhjeve të shkurtit në mënyrë që të bëhet lëshimi i mjeteve. Nga Plani i Rritjes, që mbulon periudhën nga viti 2024 deri më 2027, Kosova mund të përfitojë mbi 880 milionë euro.
Kjo paketë prej 6 miliardë eurosh për gjashtë vendet e Ballkanit perëndimor është miratuar në pjesën e fundit të vitit 2023. Në qershor të këtij viti edhe Serbia kishte njoftuar se ka pranuar mjetet e para nga BE-ja, në vlerë prej 51.66 milionë eurosh.




