Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e djeshme dy biznese në Pejë, duke shkaktuar dëme materiale të mëdha që kapin vlerën e mbi 100 mijë eurove, raporton Gazeta Sinjali.
Rreth orës 13:50, në rrugën “Zhuj Selmani”, flakët kanë shpërthyer në depon ndërtimore “NTP Dori Com”, pronë e Bujar Lajqit rreth 51-vjeçar, dhe janë përhapur me shpejtësi edhe në hekurishten “NT Leutrimi”, në pronësi të Leutrim Nikqit rreth 37-vjeçar.
Njësitet e Policisë dhe zjarrfikësit kanë reaguar menjëherë, duke u angazhuar në lokalizimin e zjarrit, i cili ka shkatërruar plotësisht objektin e “Dori Com” dhe ka dëmtuar rëndë një pjesë të hekurishtes përreth.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë Drejtori Rajonal i Policisë në Pejë dhe Komandanti i Stacionit Policor, ndërsa Prokurori kujdestar është njoftuar dhe ka inicuar rastin si “Zjarrvënie”.
Sipas pronarit të “Dori Com”, dëmi i shkaktuar arrin mbi 100 mijë euro, ndërsa dëmet në hekurishte ende nuk janë vlerësuar. Për momentin nuk dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, por hetimet janë në zhvillim për të përcaktuar shkakun e flakëve.




