Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, me delegacionin e tij, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Takimet Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), u mirëprit ngrohtësisht në Zyrën e Asistencës Teknike të Departamentit të Thesarit të SHBA-së nga Drejtoresha në Detyrë, znj. Audrey Linthorst, drejtues tjerë të lartë dhe ekipi i saj.
Takimi riafirmoi partneritetin e fortë midis Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe Departamentit të Thesarit të SHBA-së, si në projektin aktual, ashtu edhe në mundësinë e zgjerimit në fusha që janë diskutuar më parë.
Në fjalën e tij, Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Thesarit të SHBA-së ndaj BQK-së, duke vlerësuar lart rifillimin e aktiviteteve që mbështesin asistencën teknike. Gjithashtu, ai vlerësoi lartë rolin e rëndësishëm të Departamentit të Thesarit të SHBA-së në ndërtimin e një banke qendrore të fortë dhe të qëndrueshme për Kosovën, duke theksuar përpjekjet e vazhdueshme për të fuqizuar funksionet kryesore dhe kapacitetet e BQK-së.
Guvernatori Ismaili riafirmoi angazhimin e BQK-së për të avancuar partneritetin e ngushtë me Thesarin e SHBA-së në fusha me interes strategjik të përbashkët.
Nga ana e tyre, udhëheqësit e Zyrës së Asistencës Teknike të Thesarit konfirmuan gatishmërinë për të vazhduar projektet ekzistuese dhe për të zgjeruar bashkëpunimin nën programin e ri të asistencës teknike.




