Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, zhvilloi një takim të rëndësishëm me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), z. Bo Li, dhe ekipin e tij.
Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili paraqiti zhvillimet më të fundit në ekonominë e Kosovës, duke përfshirë ecurinë e sektorit financiar, stabilitetin financiar dhe progresin në reformat strukturore.
Nga ana e tij, z. Li vlerësoi progresin e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe zbatimin e suksesshëm të programeve dhe rekomandimeve të misioneve të FMN-së, duke përfshirë edhe shfrytëzimin e mjeteve nga programi i fundit.
Takimi ri-konfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e partneritetit institucional ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, në funksion të përmbushjes së objektivave zhvillimore dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike të Kosovës.




