Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 1 vit burgim dhe 15 mijë euro gjobë ish-kryetarin e degës së LDK-së në Drenas, Bedri Nika, kurse nipin e tij, Albian Nika, u dënua me gjashtë muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë, lidhur me akuzën për pastrim parash.
Ndryshe, në seancën e datës 26 nëntor 2024, dy të akuzuarit janë shpallur fajtorë për veprën penale në bashkëkryerje “Shpëlarje e parave”. Ndërsa, Apeli e kishte kthyer përseri këtë cështje në rivendosje.
Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve të cilët u shpallën fajtorë për pastrim parash, u shpall të premten nga gjyqtarja Violeta Namani, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Bedri Nika u dënua me 1 vit burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim, si dhe me 15 mijë euro gjobë. Ndërsa, të akuzuarit Albian Nika, gjykata i shqiptoi dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 muajsh dhe 3 mijë euro gjobë. Ndërsa, më pëlqimin e të akuzuarit Nika, dënimi me burgim do të shndërrohet në dënim me gjobë në shumën prej 5 mijë euro.
Po ashtu, Gjykata me këtë aktgjykim ka konfiskuar edhe 121 banknota të dëmtuara në vlerë totale prej 6050 euro, të cilat mjete janë përdorur për kryerjen e veprës penale. Gjithashtu, detyrohen të akuzuarit që në mënyrë solidare, t’ia kompensojnë të dëmtuarës- bankës NLB në Prishtinë shumën prej 5 mijë e 900 euro, në afat prej një muaji pasi që aktgjykimi të marrë formën e prerë.




