Në një ceremoni solemne të zhvilluar në Teatrin “Petro Marko”, Bashkia e Vlorës ka nderuar me titullin “Qytetar Nderi” inxhinieren dhe sipërmarrësen e njohur Mira Murati, një prej figurave më të spikatura shqiptare në fushën e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Murati, e cila ka drejtuar kompaninë prestigjioze OpenAI dhe aktualisht është themeluese e “Thinking Machines Lab”, nuk ishte e pranishme në ceremoni. Titullin e mori në emër të saj nëna e Mirës, e cila përcolli falënderimet dhe emocionet e familjes për këtë vlerësim.
Në fjalën e saj, ajo theksoi lidhjen e vajzës me vendlindjen:
“Faleminderit Vlorës, qytetit ku Mira lindi dhe u rrit. Edhe pse jeton jashtë, ajo ndjek me shumë interes zhvillimet në Shqipëri dhe në qytetin e saj të dashur. Si familje, jemi mirënjohës për këtë nderim dhe ju urojmë suksese në punën tuaj për të mirën e Vlorës.”
Krahas Muratit, me titullin “Qytetar Nderi” u nderua edhe tenori i njohur Josif Gjipali, për kontributin e tij në artin dhe kulturën shqiptare.
Ceremonia u ndoq nga drejtues vendorë, personalitete të qytetit dhe qytetarë vlonjatë që duartrokitën figurat që kanë lartësuar emrin e Vlorës në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.




