Drejtori i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, Yll Buleshkaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka bërë të ditur se që nga fillimi i këtij viti janë evidentuar rreth 150 raste të konfliktit të interesit, ndërsa afërsisht 30 për qind e tyre lidhen me procesin e punësimit në institucione publike.
Buleshkaj foli edhe për deklarimin e pasurisë nga zyrtarët shtetërorë, ku tha se mbi 100 prej tyre janë gjobitur për vonesa në deklarim.
Ai shtoi se në shumë raste zyrtarë publikë kanë marrë pjesë në panele rekrutimi apo kanë nënshkruar vendime për punësim në kundërshtim me ligjin për shkak të afërsisë me personat e përzgjedhur.
Buleshkaj theksoi se Agjencia ka mandat të fuqishëm për të ndërhyrë në raste të konfliktit të interesit dhe se vendimet e saj janë ekzekutive dhe të zbatueshme drejtpërdrejt në aspektin administrativ.




