Nën patronatin e Presidentes, Vjosa Osmani, dhe në bashkëpunim me organizatën “JETA/VITA”, është mbajtur manifestimi tradicional informativo-kulturor me moton “ZBULIMI I HERSHËM – MBIJETESË”, në kuadër të Muajit Ndërkombëtar të Luftës Kundër Kancerit të Gjirit.
Presidentja Osmani tha se ky muaj është mbi të gjitha një kujtesë për guximin dhe jetën, duke inkurajuar çdo grua që të mos ketë frikë nga kontrollet e rregullta.
“Në këtë muaj ne nuk flasim vetëm për dhimbje, por flasim mbi të gjitha për guxim. Nuk flasim për sëmundje por flasim për jetë. Sot jemi këtu për të nderuar kauzën dhe frymën, frymën e grave që nuk u dorëzuan, që u përballën me frikën dhe e kthyen atë në forcë. Çdo kontroll, çdo ekzaminim i rregullt është një mundësi për jetë. Dua që të inkurajoj çdo grua që të mos ketë frikë nga kontrollet. Kanceri i gjirit nuk është fundi, mund të jetë një kapitull shumë sfidues”, tha Osmani.
Drejtoresha e organizatës “JETA/VITA”, Nafije Latifi, tha se kjo ditë është një moment reflektimi mbi sfidat që mbeten në shëndetësi, duke theksuar nevojën për staf të specializuar, më shumë hapësira trajtimi dhe krijimin e një qendre për kujdes paliativ për pacientët në faza të avancuara.
Ndërsa përfaqësuesja nga Onkologjia, Dafina Ademi, tha se Kosova dikur ka qenë në terr informativ lidhur me këtë sëmundje, por se tani, falë ndërgjegjësimit dhe përpjekjeve të shumta, është arritur përmirësim i dukshëm në vetëdijesimin dhe trajtimin e grave.
Në kuadër të kësaj ngjarjeje, është mbajtur edhe një marsh në sheshet e kryeqytetit, me pjesëmarrjen e dhjetëra qytetarëve, institucioneve dhe organizatave që mbështesin luftën kundër kancerit të gjirit.





