Në fshatin Zabërgjë të komunës së Klinës, sot është përuruar shtatorja e dëshmorit të kombit, Rizah Salihaj, një ndër luftëtarët e parë të rreshtuar në Brigadën 113 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Mujë Krasniqi”.
Në këtë ngjarje përkujtimore morën pjesë kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të shumtë.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj theksoi se Rizah Salihaj ishte ndër të parët që iu përgjigj thirrjes për liri, duke u bashkuar me Brigadën 113 të UÇK-së “Mujë Krasniqi”.
“Sot, bashkë me kryetarin Zenun Elezaj, bashkëluftëtarë dhe familjarë, morëm pjesë në përurimin e shtatores së heroit Rizah Salihaj, në vendlindjen e tij, në Zabërgjë të Klinës. Ai ishte ndër ushtarët më të devotshëm, i vendosur e trim, i palëkundur në çdo betejë. Heroizmi dhe vepra e tij do të mbeten përherë shembull se si liria e atdheut vendoset mbi gjithçka tjetër. Lavdi!”, ka shkruar Haradinaj.





