Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, në fjalimin e saj para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, theksoi se Republika e Kosovës është një shtet i fortë, me demokraci perëndimore dhe ekonomi të qëndrueshme.
Ajo përmendi se zgjedhjet parlamentare dhe lokale të vitit 2025 janë vlerësuar si të lira dhe të ndershme nga vëzhgues vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa rritja ekonomike mbetet ndër më të lartat në Evropë.
“Kosova renditet e para në Evropë dhe e treta në botë në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, me 94 nga 100 pikë. Ky është rezultat i punës, përkushtimit dhe energjisë së njerëzve të shtetit më të ri në Evropë, me popullsinë më të re dhe me mendësinë më optimiste, siç e tregojnë sondazhet ndërkombëtare”, deklaroi Gërvalla.
Ajo hodhi poshtë termin “Kosovë dhe Metohi”, duke e cilësuar si një shprehje të ambicieve hegjemoniste të Serbisë dhe si gjuhë të trashëguar nga regjimi i Millosheviqit.
“Kosova nuk është histori, është e tashmja – dhe Serbia sot paraqet një kërcënim real për rajonin”, theksoi Gërvalla.
Ministrja paralajmëroi për propagandën e përhapur nga mediat e kontrolluara nga Beogradi dhe për retorikën që, sipas saj, përgatit terrenin për agresion të mundshëm ndaj Kosovës.
Tutje Gërvalla tha se në të tashmen, Serbia paraqet një kërcënim real për rajonin. Ne shohim çdo ditë propagandën e pamëshirshme të mediave të kontrolluara nga Vuçiq, e cila përhap urrejtje në mënyrë sistematike, duke helmuar shoqërinë serbe. Nëpër Serbi mund të shihen grafite dhe murale të mëdha që përçojnë këtë mesazh.




