Këshilli Kombëtar Shqiptar shpreh shqetësimin e thellë për shkeljen flagrante të Ligjit për Mediat Elektronike dhe rregullave të përcaktuara në procesin e harmonizimit për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Regullatorit për Mediat Elektronike (REM) nga radhët e këshillave kombëtare.
Gjatë mbledhjes së zhvilluar sot, më 21 tetor 2025, shërbimi i Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë lejoi që në votim të marrin pjesë edhe nëntë këshilla kombëtare që nuk kishin marrë pjesë në procesin e mëparshëm dhe nuk kishin propozuar kandidatët e tyre, duke u dhënë atyre të drejtë të paligjshme vote. Kjo ndërhyrje e drejtpërdrejtë jo vetëm që cenon integritetin e procesit, por përbën edhe shkelje të qartë të Ligjit për Mediat Elektronike dhe të udhëzimeve në kuadër të tij.
Sipas rregullave të përcaktuara me shkrim, në këtë fazë të procesit të harmonizimit, të drejtë përfaqësimi dhe votimi kishin vetëm tre këshillat kombëtare që kishin paraqitur kandidatët e tyre, përkatësisht:
Këshilli Kombëtar Boshnjak,
Këshilli Kombëtar Shqiptar,
Këshilli Kombëtar i Pakicës Kombëtare Hungareze.
Pjesëmarrja dhe votimi i këshillave të tjerë, të paautorizuar dhe të painvolvuar në procesin paraprak, është në kundërshtim të plotë me ligjin dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar.
Këshilli Kombëtar Shqiptar thekson se votat e vlefshme dhe legjitime i përkasin vetëm kandidatëve që janë propozuar në mënyrë të rregullt dhe që kanë marrë mbështetje nga propozuesit e autorizuar, pra z. Muhedin Fijuljanin dhe znj. Lumturije Ameti.
Prandaj, kërkojmë anulimin e menjëhershëm të fletëve të votimit jolegjitime, si dhe shpalljen të pavlefshme të vendimit të marrë në këtë mbledhje, për shkak të shkeljes së rëndë të ligjit dhe të procedurës.
Këshilli Kombëtar Shqiptar ditëve në vazhdim do të raportoj tek të gjitha institucionet relevante, vendore dhe ndërkombëtare duke kërkuar që të sigurojnë zbatimin e drejtë, transparent dhe ligjor të procesit të zgjedhjes së anëtarëve të REM-it, si dhe të garantojnë respektimin e barabartë të të gjitha pakicave kombëtare në vendimmarrjet që prekin interesat e tyre.




