Nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, mbrëmë u mbajt Darka tradicionale e Lamës, në prani të ambasadorëve të vendeve mike, si dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore dhe të jetës shoqërore.
Në fjalën e saj para të pranishmëve, Presidentja Osmani theksoi se toka është rrënja që mban çdo komb të bashkuar dhe dëshmia më e qartë se puna dhe përkushtimi sjellin begatinë dhe suksesin.
Presidentja Osmani kujtoi se kjo Darkë është nismë e Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, dhe njëkohësisht shprehje e urtësisë së tij se kombi forcohet me punë, dije dhe dashuri ndaj tokës që na ushqen.
Në përmbyllje, Presidentja theksoi se Darka e Lamës është më shumë se një festë e bereqetit është një moment reflektimi dhe falënderimi për punën, bashkimin dhe shpirtin e mirënjohjes që e karakterizon popullin e Kosovës.




