Në Dhomat e Specializuara të Kosovës janë anuluar seancat e planifikuar për javën e ardhshme në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Seancat e datës 27, 28, 29 dhe 30 tetor 2025 nuk do të mbahen dhe gjykimi pritet të vazhdojë më 3 nëntor 2025.
Ndërsa, janë shtuar seanca shtesë për javën që fillon më 17 nëntor për të vazhduar më pas deri më 11 dhjetor 2025, sipas kalendarit të Gjykatës.
Ndryshe, mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq ka njoftuar se nuk do të mbështetet në dëshminë e tre dëshmitarëve të saj në rastin në të cilin Thaçit akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Dëshmitë në të cilat nuk do të mbështetet mbrojtja e Thaçit janë ato të dëshmitarëve 1DW-002, 1DW-010 dhe W04174.Veç kësaj, mbrojtja tha se miratimi i autorizimit për dëshmitarin 1DW-007 është vonuar, me arsyetimin e mbylljes së përkohshme të Qeverisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.




