Në datat 20–21 tetor 2025, Shoqata e Filozofëve të Kosovës në bashkëpunim me Departamentin e Filozofisë, organizoi edicionin e tretë të Simpoziumit Ndërkombëtar Inter/Transdisiplinar “Filozofema”, që këtë vit zhvilloi diskutimet rreth dy temave kryesore: “The Question Concerning AI” dhe “Image, Film and Philosophy.”
Dita e parë u përqendrua në reflektime mbi inteligjencën artificiale si mënyrë e re të zbulimit, dhe jo thjesht si mjet teknik.
Panelistë nga Austria, Kroacia, Libani, Maqedonia e Veriut, Holanda dhe Kosova trajtuan çështje të ndryshme dhe pati bashkëbisedime të thella mbi tensionin ndërmjet inovacionit, kontrollit dhe përgjegjësisë, duke e parë IA-në si sfidë ontologjike, etike dhe politike për të ardhmen e mendimit.
Dita e dytë e simpoziumit hapi një fushë reflektimi mbi imazhin, filmin dhe filozofinë si forma të bashkëjetesës së njeriut me teknologjinë vizuale.
Temat prekën marrëdhënien mes ontologjisë së imazhit, estetikës së horrorit, ekstremitetit të trupit, inteligjencës artificiale në kinematografi dhe interpretimit filozofik të kohës.
Dita e dytë dhe punimet e edicionit të III të simpoziumit u mbyllën me një tryezë diskutimi dhe shfaqje filmi: “Abschied von Gestern” të Alexander Kluge, e shoqëruar me diskutim mbi rëndësinë e tij në kontekstin kulturor të Kosovës. Diskutimin e udhëhoqën Alban Beqiraj, Alexander Vojvoda (Moderator), Blertë Ismajli dhe Verena Walzl.
Edicioni i III i simpoziumit, përmes dy ditëve intensive diskutimesh, shndërroi Prishtinën në një qendër reflektimi ndërkombëtar mbi marrëdhënien njeri–teknologji–imazh, duke lidhur filozofinë me artin, etikën, edukimin dhe estetikën bashkëkohore.




