Pak para fillimit të punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit, i cili po mbahet në Londër, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u mirëprit në takim nga Sekretarja e Shtetit për Punë të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper.
Duke vlerësuar rolin dhe kontributin në çlirimin, shtetndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë ndaj Mbretërisë së Bashkuar, si shtet mik dhe partner i yni.
Në takim u diskutua mbi temat kryesore të Samitit: sigurinë, rritjen dhe migracionin, si thelbësore për Ballkanin Perëndimor dhe Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu, biseduan për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit dhe mbështetjes në fushat e energjisë, infrastrukturës, përfshirë edhe transportin dhe edukimin.
Në fushën e mbrojtjes, kryeministri theksoi se Kosova po investon në inovacion, arsim dhe partneritete, duke vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar. Ai gjithashtu nënvizoi potencialin e vendit për investime dhe mundësitë për projekte strategjike të përbashkëta me Britaninë.
Kryeministri theksoi se përmes partneritetit me Britaninë e Madhe, mund të ecim drejt integrimit në aleancën e Atlantikut të veriut, por edhe angazhohemi për njohje të reja.
Në lidhje me migracionin, Kryeministri tha që Kosova nuk është burim i migrimit, por që ka vullnet të ndihmojë një shtet mik dhe partner si Britania e Madhe, të menaxhojë rrjedhën e migracionit. Së bashku po punojmë në forcimin e sigurisë kufitare, si dhe luftimin e krimit të organizuar.




