Srgjan Llazoviq i akuzuar për krime lufte në Panorc të Malishevës edhe në fillimin e gjykimit ndaj tij nuk e ka pranuar fajësinë për veprat që e ngarkon Prokuroria Speciale.
“Nuk ndihem fajtor për veprën që akuzohem”- këtë deklarim Llazoviq e bëri kur u pyet sërish nga Gjykata rreth qëndrimit të tij.
Pas deklarimit të akuzuarit që tha se nuk e pranon fajësinë, gjykimi vazhdoi me paraqitjen e fjalëve hyrëse rreth këtij rasti, ku fillimisht fjalën e mori prokurori special, Armend Zenelaj.
Zenelaj tha se në këtë gjykim është duke u kërkuar drejtësia përreth 500 qytetarë të nacionalitetit shqiptar të fshatit Panorc të Komunës së Malishevës që nga forcat serbe gjatë kohës së luftës në shtator 1998 ishin maltretuar përreth 30 orë në mënyrë të kundërligjshme dhe në kushte të rënda të jetesës.
Sipas aktakuzës së datës 19.11.2024 i pandehuri Srgjan Llazoviq po akuzohet se në periudhën kohore 1998 – 1999 gjatë luftës së fundit në Kosovë në fshatin Panorc, komuna e Malishevës, duke vepruar në bashkëkryerje me perosna të tjerë ende të pa idendifikuar gjatë një konflikti me karakter jo ndërkombëtar të zhvilluar mes UÇK-së dhe forcave policore dhe ushtarake serbe, i kanë shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare, ku kanë kryer arrestime, dëbime masive, plaçkitje dhe shkatërrime të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të popullatës civile të komunitetit shqiptar.
Seancat e radhës për këtë çështje penale janë të caktuara për në muajin nëntor, 2025.




