Policia e Kosovës, me qëllim të ngritjes dhe zhvillimit të mëtejmë të kapaciteteve dhe burimeve njerëzore, në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, me datën 23.10.2025 ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me një nga institucionet e arsimit të lartë publik në Kosovë, konkretisht me Universitetin e Prishtinës – Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike.
Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i Përgjithshëm i PK-së kolonel Gazmend Hoxha dhe Prof. Dr. Isak Shabani Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, të cilët përmes kësaj marrëveshje synojnë rritjen e bashkëpunimit reciprok, me qëllim të krijimit të mundësive të reja për ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e burimeve njerëzore, arsimimin, trajnimin profesional, shkëmbimin e përvojave akademike dhe praktike në mes të palëve, si dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në sektorin e sigurisë publike dhe arsimit të lartë.
Policia e Kosovës mbetet e vendosur dhe e përkushtuar që në vazhdimësi të ndërmarrë hapa për mbështetjen e pjesëtarëve të PK-së në fushën e ngritjes së nivelit profesional dhe avancimit të mëtejmë të tyre.





