Ndonëse ishte paraparë që procesi i gjykimit të ish krerëve të UÇK-së të vazhdonte të hënën, Dhomat e Specializuara në Hagë i kanë shtyrë seancat për në muajin nëntor.
“Anulimi i seancave nga 27 deri më 30 nëntor është bërë për arsye praktike/logjistike. Seanca e radhës është caktuar për 3 nëntor 2025”, thuhet në përgjigjen e saj.
Për shtyrjen e seancave, ka folur nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Fatmir Sopi, i cili tha se zvarritjet e procesit ndaj ish-krerëve nuk janë diçka e re. Por, sipas Sopit, shqetësuese tani është refuzimi i provave të mbrojtjes së Krasniqit për krimet serbe në Kosovë, pasi, siç tha ai, specialja me këtë dëshmoi përsëri njëanshmërinë e saj.
“Kjo tregon apriori se kjo gjykatë ka marrë anë, ka marrë anën e prokurorisë, gjithmonë prokuroria ka qenë më e përkëdhelur nga ky trup gjykues, ndërsa sa i përket dëshmive që janë ofruar nga mbrojtja është turp për atë gjykatë që mos të thuhet se nuk janë asgjë relevante për neve krimet që i ka bërë pushtuesi serb në Kosovë, kur dihet me mijëra njerëz të vrarë, të persekutuar, të masakruar, fëmijë, gra e pleq”, tha Sopi për RTK.
Bazuar në zhvillimet e deritanishme, vendimi i shkallës së parë për Thaçin dhe të tjerët, sipas avokatit, Ardian Bajraktari, mund të merret në fillim të vitit të ardhshëm.
Gjatë nëntorit në gjykatë pritet të vijë dëshmitari i pestë i mbrojtjes së Thaçit. Derisa, në shenjë kundërshtimi me gjykatën dhe procesin, pas dy protestave në Prishtinë, një në Hagë dhe një tjetër në Tiranë, është paralajmëruar se protesta e radhës do të mbahet në një kryeqendër evropiane.




