Presidenti i Turqisë, Tayyip Recep Erdogan, ka thënë të premten se Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera duhet të bëjnë më shumë për të detyruar Izraelin ta ndalë shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës.
Ai theksoi se ato madje duhet të përdorin mbase edhe sanksione apo ta ndalin shitjen e armëve në Izrael.
Turqia, anëtare e NATO-s dhe një nga kritiket më të zëshme të luftës së Izraelit në Gazë, i është bashkuar bisedimeve për armëpushim si ndërmjetëse, pasi më parë ishte përfshirë kryesisht tërthorazi.
Ankaraja ka thënë se do t’i bashkohet një “task-force” që do ta mbikëqyrë zbatimin e armëpushimit, dhe se forcat e saj të armatosura mund të shërbejnë në kapacitete ushtarake apo civile sipas nevojës.Ajo gjithashtu ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar në rindërtimin e enklavës.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, la të kuptohet të mërkurën se Izraeli e kundërshton çdo rol të forcave turke në Rripin e Gazës.
I pyetur për komentet e Netanyahut, Erdogani u përmbajt nga kritikat e zakonshme ndaj liderit izraelit dhe duket se zbuti angazhimin e tij të mëparshëm për një rol aktiv në terren në Gazë, duke thënë se bisedimet për këtë çështje janë ende në zhvillim.
Marrëdhëniet midis dy ish-aleatëve, Izraelit dhe Turqisë, janë përkeqësuar ndjeshëm gjatë luftës në Gazë, pasi Ankaraja e akuzon Qeverinë e Netanyahut për “gjenocid”, një akuzë që Izraeli e ka mohuar vazhdimisht.




