Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur sot anëtarët e shoqatës austriake “Forchheimer Kreis”, në mesin e të cilëve prezent ishin edhe Presidenti i kësaj shoqate, politikani Josef Höchtl dhe eurodeputeti dhe miku i Kosovës, Lukas Mandl.
Në këtë takim, kryeministri theksoi të arriturat e qeverisë përgjatë këtij mandati qeveritar, ku veçoi rritjen ekonomike me mesatare prej 6% në katër vitet e fundit, dyfishimin e eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, rritjen e punësimit, trefishimin e buxhetit për mbrojtje.
Kryeministri Kurti shtoi se Kosova renditet ndër vendet më të sigurta për të jetuar dhe investuar në të gjithë Evropën sipas Gallup dhe Henley, e gjithashtu, shteti ynë po vlerësohet ndërkombëtarisht si reformatorja më e shpejtë në sundimin e ligjit dhe demokracinë në rajonin tonë.
Kryeministri në detyrë i uroi anëtarëve të shoqatës qëndrim të mbarë e produktiv në këtë vizitë dyditore në vendin tonë, gjersa theksoi se lidhjet tona historike, afërsia kulturore dhe vlerat tona të përbashkëta e bëjnë Austrinë një nga partnerët tanë më të ngushtë.





