Bashkimi Evropian po zhvillon një plan të ri për të frenuar varësinë nga materialet e papërpunuara kineze, tha të shtunën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa kritikoi Pekinin për kufizimet e zgjeruara në eksportin e metaleve të rralla.
Bashkimi Evropian për vite me radhë është përpjekur ta zvogëlojë varësinë nga Kina për mineralet që janë të nevojshme për kalimin drejt energjisë më të pastër, sektorin e mbrojtjes dhe prodhimin e automjeteve elektrike.
Von der Leyen tha se BE-ja do të kërkojë t’i përshpejtojë partneritetet për materiale kritike të papërpunuara me vende si Australia, Kanadaja, Kili, Grenlanda, Kazakistani, Uzbekistani dhe Ukraina.
Sipas saj, skema, e quajtur RESourceEU, do të jetë e ngjashme me planin që BE-ja zhvilloi pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 për të ulur varësinë nga energjia ruse, të njohur si REPowerEU.
“Ne do të fokusohemi në gjithçka, nga blerjet e përbashkëta deri te krijimi i rezervave. Do të rrisim investimet në projekte strategjike për prodhimin dhe përpunimin e materialeve kritike të papërpunuara këtu në Bashkimin Evropian”, shtoi ajo.
Më 9 tetor, Kina vendosi kufizime në eksportin e metaleve të rralla dhe materialeve për bateri. Qeveritë perëndimore dhe analistët e shohin këtë si pjesë të reagimit të Kinës ndaj tarifave tregtare të vendosura nga Shtetet e Bashkuara.
Por, Von der Leyen tha se kjo kishte gjithashtu një ndikim të madh në Evropë, në sektorët industrialë përfshirë atë të automobilëve, mbrojtjes, industrinë ajrore, çipat e inteligjencës artificiale dhe qendrat e të dhënave.




