Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) ka reaguar pas, siç e ka quajtur, një fushate denigruese të zhvilluar ditëve të fundit ndaj Myftiut të Kosovës, Naim Tërnava.
Në komunikatën për media, thuhet se disa portale dhe emisione të ashtuquajtura “hulumtuese” kanë përhapur shpifje dhe insinuata të pavërteta që lidhen me Tërnaven dhe familjen e tij.
“Theksojmë qartë dhe prerazi se në asnjë mënyrë, në asnjë rrethanë dhe asnjëherë, as Myftiu Naim ef. Tërnava dhe as ndonjë anëtar i familjes së tij nuk kanë të bëjnë me pretendimet e ngritura ditëve të fundit nga qarqe dhe portale të ndryshme.
Jemi të vetëdijshëm se fushata të tilla kundër Myftiut Tërnava i konvenojnë shumëkujt dhe shumë qarqeve, për shkak të punës dhe aktivitetit të tij të pandalshëm në të mirë të Bashkësisë Islame të Kosovës, të komunitetit dhe të vendit.
Nuk habitemi kur segmente të caktuara të shoqërisë angazhohen për ta dëmtuar me shpifje, akuza dhe pretendime të pabazuara, të cilat synojnë të lëndojnë ndjenjat e besimtarëve tanë,”thuhet në komunikat.
Tutje në komunikat për media thuhet se fushata të tilla me qëllime dashakeqe dhe tendencioze ndaj familjes së Myftiut, ndaj vetë Myftiut dhe ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës, do të përfundojnë të turpëruara.
Prandaj, edhe një herë sqarojmë opinionin publik se nga fushata denigruese e ngritur ditëve të fundit nuk ka asgjë të vërtetë në pretendimet e publikuara në disa portale dhe emisione të ashtuquajtura “hulumtuese”.




