Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të dielën në ora 10:00 për të votuar Qeverinë e re të Republikës së Kosovës.
Mandatari për formimin e Qeverisë, kryeministri në detyrë dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka edhe dy ditë kohë për të prezantuar përbërjen dhe programin e kabinetit të tij para deputetëve.
Nëse Qeveria nuk zgjidhet deri të dielën, Kosova mund të përballet me një krizë të re institucionale.
Aktualisht, nuk është e sigurt nëse kjo parti do të arrijë t’i sigurojë votat e nevojshme nga partitë e tjera për të formuar shumicën.
Vetëvendosje më herët ka lënë të hapur mundësinë për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), por ka përjashtuar bashkëpunimin me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Gjatë një vizite në Londër, Kurti nuk e përjashtoi as mundësinë për zgjedhje të reja në rast se nuk sigurohet shumica parlamentare.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave, presidentja Vjosa Osmani duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh.




