Policia e Kosovës, përkatësisht njësitë patrulluese të Drejtorisë Rajonale Kufitare – Lindje nga Stacioni Policor për Mbikëqyrje Kufitare – Hani i Elezit, kanë realizuar një veprim operativ që ka rezultuar me parandalimin e një rasti të kontrabandimit me mallra në zonën kufitare të Hanit të Elezit.
Dje rreth orës 19:00, njësia policore ka vërejtur një automjet të tipit kombi-furgon pa targa regjistrimi, i cili kishte hyrë nga Maqedonia e Veriut në territorin e Republikës së Kosovës, duke përdorur rrugë ilegale.
Pavarësisht tentativës së policisë për ta ndaluar automjetin, ky i fundit nuk është ndalur dhe ka dalë nga rruga duke përfunduar në një hendek. Dy persona të dyshuar që ndodheshin në automjet e kanë braktisur atë dhe janë larguar në drejtim të Maqedonisë së Veriut.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme mallrash që dyshohet se janë kontrabanduar, përfshirë:
këpucë për meshkuj dhe femra të markave të ndryshme,mjete pune,kasaforta dhe veshje të ndryshme,
Me urdhër të prokurorit kompetent, automjeti dhe mallrat e gjetura janë konfiskuar dhe janë dërguar në Stacionin Policor për Mbikëqyrje Kufitare – Hani i Elezit, ndërsa do t’i dorëzohen Doganës së Kosovës për procedurat e mëtejme ligjore.





