Për shkak të reshjeve të shiut që kanë përfshirë rajonin, Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë shoferët e automjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes, veçanërisht në rrugët rajonale dhe ato malore.
Kushtet e motit me shi po ndikojnë në krijimin e rrugëve të lagështa, zvogëlimin e dukshmërisë dhe shtimin e rrezikut për aksidente trafiku.
Përveç kësaj, në disa zona malore mund të ketë shembje gurësh, rrëshqitje dhe pengesa të tjera në rrugë, sidomos në akset Shtërpcë – Brezovicë – Prevallë, Kaçanik – Glloboçicë dhe Kaçanik – Hani i Elezit.
Në këtë drejtim, Policia Rajonale e Ferizajt rekomandon që shoferët e automjeteve të respektojnë disa këshilla thelbësore për ngasje të sigurt:
– Mbani dritat e ndezura për të përmirësuar dukshmërinë tuaj dhe për t’u bërë më të vërejtshëm për pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
– Zvogëloni shpejtësinë, pasi rrugët e lagështa kërkojnë më shumë distancë për frenim të sigurt.
– Shmangni shpërqendrimet, në veçanti përdorimin e telefonit gjatë ngasjes.
– Mbani distancë të mjaftueshme nga automjetet përpara jush për të shmangur përplasjet.
– Në rrugët malore, tregoni kujdes shtesë ndaj mundësisë së shembjeve të gurëve dhe pengesave të tjera që mund të rrezikojnë qarkullimin.
Policia rikujton se reshjet e shiut nuk duhet të jenë arsye për mungesë kujdesi, por një arsye më shumë për të lëvizur me përgjegjësi.
“Siguria është në duart tuaja,”
Për çdo rast nevoje , incidenti apo aksidenti në trafik, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë në numrin 192, qoftë nga telefonia fikse apo mobile, ose të paraqiten në stacionin më të afërt policor.




