Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar për bllokim të shtetit, shkelje të Kushtetutës, uzurpim të institucioneve dhe mungesë respekti ndaj gjykatave dhe prokurorisë.
Abdixhiku tha se Kurti nuk kupton parimet, dinjitetin në politikë dhe madhështinë e LDK-së, duke theksuar se partia po ecën e fortë në rrugën e vet dhe do të mbetet gjithmonë krenare dhe faqebardhë.
“Kur pushtetarët e shkëputur nga populli i afrohen fundit, gjërat më nuk u japin sens.
LDK-në mund ta sulmoni. Mund edhe ta ofendoni – por vetëm kaq keni mundësi. Nuk ju vjen rendi për më shumë. LDK po ecë drejtë. Në rrugën e vet. Për vete dhe për Republikën që e krijoi vet”, shkruan Abdixhiku.
Postimi I plotë:
Jam i bindur se parimet nuk i kupton.
Fjalën e dhënë edhe më pak.
Një njeri që për tetë muaj bllokon shtetin duke thënë se i ka votat por s’po e lenë, dhe në fund mashtron; një njeri që për 48 herë e shkel Kushtetutën dhe mburret se çfarë po bën;
një njeri që uzurpon institucionet duke qenë herë kryeministër e herë deputet; një njeri që s’i respekton gjykatat e Republikës siç respektohen ato në shtetin ku ai rrit familjen e vet;
një njeri që vendoset mbi prokurorinë e i mbron të korruptuarit partiakë veç se janë të tij;
një njeri që vetëm ofendon e vetëm përçan kudo që prek; një njeri që akuzon kundërshtarët politikë, shtëpinë e madhe të demokracisë me tradhtarë të Serbisë veç pse mendojnë ndryshe nga ai;
një njeri që na ofendon elektoratin me ‘hajvanat’ dhe pret shtrirje qafe më pas;
një njeri që na izolon Republikën e vet, e na e humbë të ardhmen e fëmijëve në këtë shtet; një njeri që nuk e kupton bashkëpunimin, unitetin, e afrimin si akt patriotik sot;
një njeri që ndryshon pa mërzi secilin premtim publik;
– një njeri i tillë, natyrisht se nuk e kupton se çka do të thotë parimi i drejtë në jetë.
S’e kupton as dinjitetin në politikë, as madhështinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës; e as faktin se ka ardhur një gjeneratë e re në vend ku fjala e dhënë ka peshë. Dhe s’ka pozitë, s’ka pushtet e s’ka ofertë që mund të shkelë mbi këtë vlerë.
Prandaj çuditet! Prandaj s’kupton.
Kur pushtetarët e shkëputur nga populli i afrohen fundit, gjërat më nuk u japin sens.
LDK-në mund ta sulmoni. Mund edhe ta ofendoni – por vetëm kaq keni mundësi. Nuk ju vjen rendi për më shumë. LDK po ecë drejtë. Në rrugën e vet. Për vete dhe për Republikën që e krijoi vet.
Zot politik, kjo LDK, ka vetëm elektoratin e vet dhe koha e LDK-së nuk ndërtohet në prehërin e askujt. LDK-ja e ka shtratin e vet; lumi i saj rrjedh fort gjithherë. Sepse ishim, jemi dhe do të mbesim të vërtetë. Krenarë e faqebardhë dhe me besim të fortë në të ardhmen e popullit tonë.
Gjërat vijnë e shkojnë; një gjë s’ndryshon kurrë.
LDK dje, LDK sot, LDK përgjithmonë!
Dritë do të ketë!




