Dogana e Kosovës ka marrë pjesë në operacionin ndërkombëtar “Global Gateway”, i organizuar nga Organizata Botërore e Doganave (WCO) në kuadër të programit Global Shield.
Ky operacion ka përfshirë administrata doganore, polici dhe agjenci të zbatimit të ligjit nga mbi 90 shtete anëtare, si dhe organizata ndërkombëtare si EUROPOL dhe INTERPOL, nën koordinimin e Sekretariatit të WCO-së.
Qëllimi kryesor i këtij operacionit ishte identifikimi, parandalimi dhe konfiskimi i dërgesave të paligjshme të materialeve që mund të përdoren për prodhimin e pajisjeve eksplozive të improvizuara, si dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar për siguri më të lartë kufitare.
Pjesëmarrja e Doganës së Kosovës në këtë operacion dëshmon përkushtimin e saj për mbrojtjen e sigurisë publike dhe forcimin e rolit të saj në luftën kundër kontrabandës dhe kërcënimeve globale.





