Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot ka filluar periudha e votimit jashtë Kosovës për votim me postë në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.
Kjo periudhë e votimit 27 tetor – 8 nëntor 2025 do të vlejë vetëm për 29,712 shtetasit e Republikës së Kosovës që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar për regjistrim 23 korrik – 29 gusht 2025.
Këta votues i takojnë komunave, të cilat, sipas rezultateve ende të pacertifikuara, janë pjesë e raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, si: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
KQZ ka nisur procesin e votimit jashtë vendit para certifikimit të rezultateve për të shmangur vonesat në procesin zgjedhor dhe për të siguruar që çdo qytetar i regjistruar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në kohë.




