Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë një vendim të rëndësishëm në favor të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke shfuqizuar nenin 14.A, paragrafi 1.5 të Udhëzimit Administrativ Nr.01/2025, i cili kufizonte të drejtën e tyre për kompensim financiar.
Kolegji i Gjykatës Supreme ka aprovuar kërkesëpadinë e paraqitur nga disa veteranë të luftës kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, duke konstatuar se dispozita e kontestuar ishte në kundërshtim me ligjin dhe parimin e sigurisë juridike.
Ky udhëzim administrativ kufizonte të drejtën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të përfituar kompensim financiar, në rastet kur ata ishin në marrëdhënie pune.
Sipas vendimit, Gjykata Supreme ka konstatuar se dispozita e kontestuar bie në kundërshtim me ligjin që rregullon statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së. Gjatë shqyrtimit të çështjes, Gjykata ka vlerësuar se ndryshimet e fundit ligjore kanë krijuar paqartësi për kriterin e punësimit si kusht për përfitim.
Në interpretimin e saj, Gjykata ka sqaruar se e drejta për kompensim nuk varet nga fakti nëse veterani është apo jo në marrëdhënie pune, por nga burimi i financimit të pagës. Kështu, veteranët që punojnë jashtë institucioneve publike ose ndërmarrjeve që financohen nga buxheti i shtetit gëzojnë të drejtën për kompensim, në përputhje me kufijtë ligjorë.
Gjykata ka vlerësuar se kërkesa e Ministrisë që veteranët të paraqesin dokument nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) që dëshmon se “nuk janë në marrëdhënie pune” është e paligjshme dhe në kundërshtim me rregullimin e ri ligjor.
Sipas vendimit, Ministria është e obliguar që të harmonizojë udhëzimet administrative me ligjin, për të siguruar përputhshmëri vertikale të akteve juridike dhe zbatim të drejtë të ligjit.




