Klubi i futbollit Cërvena Zvezda është gjobitur të mërkurën nga UEFA për disa shkelje gjatë ndeshjes ndaj Bragës, e cila u zhvillua javën e kaluar në kuadër të fazës së ligës në Ligën e Evropës.
Sipas vendimit të UEFA-s, klubi serb ka marrë gjobë për sjellje raciste dhe diskriminuese nga shikuesit në Portugali, si dhe për transmetimin e mesazheve që nuk janë të përshtatshme për ngjarje sportive.
Në një video të publikuar dëgjohen thirrje anti-Kosovë nga tifo-grupi “Delije”, me mesazhin “Kosova, Serbia”.
Për këto shkelje, Cërvena Zvezda është dënuar me 62,500 euro dhe do të luajë dy ndeshje pa shikues në udhëtim, kundër Sturm Grazit dhe Malmos.
UEFA ka gjobitur edhe Shkëndijën për shfaqjen e banderolave që nuk përputheshin me frymën sportive gjatë ndeshjes Shkëndija – Shelbourne, e zhvilluar në Shkup në kuadër të xhiros së dytë të Ligës së Konferencës.




