Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, mori pjesë në tryezën me temë: “Nxjerrja e Akteve Nënligjore në përputhje me Statutin e Shoqatës së Prokurorëve”, e cila është organizuar nga Shoqata e Prokurorëve të Kosovës në bashkëpunim me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.
Gjatë fjalës së tij, U.d. Kryeprokurori Kelmendi, ka folur për rëndësinë e shoqatës së prokurorëve, në veçanti për aktet nënligjore që do të ndihmojnë në funksionalizimin sa më të mirë të kësaj shoqate. Gjithashtu, z. Kelmendi, shprehi gatishmërinë për të mbështetur shoqatën e prokurorëve në realizimin e objektivave të parashikuar me statutin e shoqatës.
Përmes kësaj tryeze synohet të bëhet promovimi për dialogun profesional dhe shkëmbimin e përvojave mbi procesin e hartimit dhe miratimit të akteve nënligjore në përputhje me Statutin e Shoqatës, duke rritur kështu transparencën, llogaridhënien dhe integritetin institucional.
Në këtë tryezë morën pjesë edhe kryeprokurorët e Prokurorive Themelore dhe zëvendësit e tyre, anëtarët e Shoqatës së Prokurorëve, si dhe drejtuesit e Këshillit Prokurorial të Kosovës.




