I dërguari i Presidentit Amerikan Donald Trump për misione speciale Richard Grenell, thotë se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po mbahet në burgun e Hagës pa gjyq.
Grenell përmes një postimi në rrjetet sociale, tha se Europa ka dështuar dhe nuk po reagon në lidhje me padrejtësinë që po i bëhet Thaçit.
Tutje ai tha se shpreson që Thaçi duhet të padisë Hagën në gjykatë amerikane.
Postimi i plotë
“Ka shumë arsye pse Europa po dështon. Por një shembull është numri i madh i politikanëve evropianë që heshtin për Hagën që mban një Kryetar Shteti në burg për 5 vjet pa gjyq. Dhe pastaj gjyqi zgjat më shumë vite”.
“Është një sistem brutal arkaik i drejtuar nga elitat. Kjo nuk është drejtësi. Dhe askush nuk duhet të marrë më kurrë këshilla gjyqësore nga një evropian. Shpresoj që Hashim Thaçi t’i padisë të gjithë në Hagë në një Gjykatë Amerikane kur të jetë jashtë – në fund të fundit, janë para të taksapaguesve amerikanë”, shkruan Grenell.




