Komisioni Evropian ka qëllim të heqë më tej masat financiare ndaj Kosovës, nëse pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, në veri arrihet një transfer i rregullt i qeverisjes dhe deeskalimi mbetet i qëndrueshëm.
Kjo thuhet në draft-raportin e progresit për Kosovën, të cilin Komisioni Evropian pritet ta publikojë më 4 nëntor.
Sipas burimeve diplomatike, kjo nënkupton bartje të qetë të pushtetit dhe marrje të detyrës nga kryetarët e rinj të komunave në veri.
Raporti i progresit, dokumenti më i rëndësishëm që përpilon Komisioni Evropian për vendet e zgjerimit, në rastin e Kosovës nuk evidenton përparime të rëndësishme, përkundrazi, ai konstaton progres të kufizuar apo përparim të pjesshëm në shumicën e fushave – vlerësime që konsiderohen përgjithësisht të ulëta.




