Federata e Futbollit të Kosovës e ka kontaktuar talentin e Rijekas, Dominik Thaqin, që përfaqëson Kroacinë U19, këtë e ka konfirmuar agjenti i lojtarit, Matej Skrego, në një bisedë për Telegrafin.
Anësori këmbëshpejtë ka filluar të bëjë emër në Kroaci, ku falë paraqitjeve të shkëlqyeshme në grupmoshat U19 edhe arriti të ftohet në ekipin e parë këtë edicion.
Skrego, për Telegrafin konfirmoi interesimin e Kosovës, megjithatë deklaroi se FFK-ja duhet të diskutojë me të direkt në rast të ndonjë marrëveshje.
Thaqi ka zhvilluar 12 paraqitje këtë sezon për të rinjtë, ku kontribuoi me tre gola, kurse me ekipin e parë luajti në dy ndeshje në Superligën Kroate, si dhe zhvilloi 67 minuta në Ligën e Konferencës në fitoren ndaj Sparta Pragës (1-0).
Ai përpos pozitës në anësorin e krahut të djathtë të sulmit di të luajë edhe në qendër, ose në krahun e djathtë të mesfushës.




