Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuari kryesor në panelin “Paqeruajtja në një udhëkryq: E ardhmja e misioneve të OKB-së dhe përgjegjësia globale”, organizuar në kuadër të Forumit të Paqes që po mbahet në Paris.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi se Kosova përfaqëson një histori të dyfishtë suksesi: së pari, si shembull i një ndërhyrjeje të suksesshme ushtarake dhe humanitare të NATO-s që ndali gjenocidin e Serbisë, dhe së dyti, si një shtet ku zhvillimi dhe demokracia ecin krah për krah.
Kurti nënvizoi se me forcimin e institucioneve shtetërore është ulur nevoja për prezencë ushtarake ndërkombëtare, ndërkohë që vendi ka shënuar rritje të qëndrueshme ekonomike.
Kurti ka deklaruar se çdo mision paqeruajtës kërkon vlera të përbashkëta dhe jo vetëm interesa të përbashkëta, duke vënë theksin tek rëndësia e multilateralizmit, dialogut dhe marrëveshjeve. Ai përmendi Bashkimin Evropian si shembull të një projekti politik e historik të paqes dhe prosperitetit.




