Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, së bashku me ambasadoren e Republikës së Shqipërisë, Zhaklina Peto kanë realizuar shpërndarjen e Abetareve Mbarëkombëtare në shkollat fillore të Komunës së Ulqinit dhe Tivarit, në të cilat procesi mësimor zhvillohet në gjuhën shqipe
Nika shkruan se ky projekt u realizua me mbështetjen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, e cila siguroi kompletet e Abetares Mbarëkombëtare për të gjithë nxënësit shqiptarë të ciklit fillor në Mal të Zi.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit e Malit të Zi ka marrë vendim që Abetarja Mbarëkombëtare të përdoret si tekst mësimor në shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe.
“Drejtorët dhe mësimdhënësit e shkollave shprehën falënderime për këtë aktivitet, duke e vlerësuar lart vizitën e Ambasadores Peto dhe interesimin e vazhdueshëm të KKSh-së për shkollat dhe arsimin në gjuhën amtare”, shkruan Nika.





