Sindikata e Punëtorëve të RTK-së kërkon nga Menaxhmenti dhe Bordi i RTK-së që të ndërmarrin menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurimin e pagave të punëtorëve, në mënyrë që ato të ekzekutohen brenda afatit ligjor, nga 1 deri më 5 nëntor 2025.
Është jetike që të gjendet zgjidhje urgjente financiare, qoftë përmes bashkëpunimit me bankat, hapjes së një overdrafti të përkohshëm apo çdo mekanizmi tjetër të mundshëm, në mënyrë që punëtorët të mos mbesin pa paga.
Në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që të veprojë menjëherë, ashtu siç veproi në muajin gusht, kur ndau 2.5 milionë euro për të siguruar funksionimin e RTK-së. Kjo ndërhyrje është e domosdoshme për të parandaluar pasojat sociale dhe institucionale që mund të shkaktojë mungesa e pagave.
Është shqetësuese dhe e papranueshme që mediumi i vetëm publik në Kosovë po lihet pa buxhet, ndërsa në anën tjetër po rrezikohet programi, transmetimi dhe funksionimi i plotë i RTK-së, si dhe jetesa e mbi 700 familjeve që varen nga ky institucion.
Në një kohë kur në gjithë shtetin po deklarohet për rritje pagash, në RTK jo vetëm që nuk ka pasur asnjë rritje, por nuk ka as buxhet të mjaftueshëm as për pagat e merituara, e lëre më të flitet për ndonjë rritje. Punëtorët e RTK-së nuk po kërkojnë privilegje, por vetëm pagën që ligjërisht u takon dhe që duhet të ekzekutohet në kohë.
Nëse nuk merren masa të menjëhershme, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së do të dalë me qëndrime publike, veprime sindikale dhe hapa ligjorë, për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve dhe funksionimin e institucionit publik të informimit.
Kërkojmë përgjegjësi, reagim të menjëhershëm dhe bashkërendim institucional për të zgjidhur këtë situatë të rëndë e të papranueshme.




