Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli-Dalipi, të akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018.
Shkak për shtyrjen e seancës ishte mungesa e ministrit Sveçla, e që është arsyetuar mungesa, raporton Ekonomia Online. Ndërsa seanca është shtyrë për 16 janar 2026, e në rast se palët nuk paraqiten atëherë do të lëshohet urdhërarrest kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
Gjyqtari Sabit Sadikaj deklaroi se nuk janë plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës, pasi mungon i pandehuri Sveçla, për të cilin gjykata kishte lëshuar urdhër për paraqitje me detyrim.
Trupi gjykues vendosi që seanca e sotme të mos mbahet dhe ta shtyjë për 16 janar.
Ai bëri të ditur se në rast mungese Gjykata do të lëshoj urdhërarrest dhe kërkesë për caktim të masës së paraburgimit për palët.
Avokati i Xhelal Sveçlës, Laur Preni, ka deklaruar se arsyeja e mungesës së klientit të tij është një udhëtim zyrtar.
“Sipas informatave që kam, ministri është në udhëtim zyrtar. Nuk di më shumë,” tha Preni.




