Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ardian Hajdaraj, nga Konferenca Vjetore e Prokurorit të Shtetit, i ka bërë thirrje Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që të dekretojë kandidatin Blerim Isufaj në pozitën e kryeprokurorit të shtetit.
Hajdaraj tha se Këshilli ka propozuar për herë të dytë kandidatin për këtë pozitë, por Presidentja ende nuk ka vepruar, duke theksuar se mbajtja e pozitës me ushtrues detyre për një kohë kaq të gjatë nuk është pozitive.
Gjatë fjalimit të tij, Hajdaraj u ndal edhe te proceset e brendshme të Këshillit Prokurorial, duke bërë thirrje që gjatë votimeve të mos fotografohet vota.
Kryesuesi i KPK-së përmendi edhe disa nga arritjet kryesore të sistemit prokurorial gjatë vitit të fundit, përfshirë rekrutimin e prokurorëve të rinj, vlerësimin e performancës së prokurorëve, plotësimin e pozitave administrative dhe zhvillimin e karrierës përmes transferimeve dhe avancimeve.




