Mbetjet më të fundit mortore të dorëzuara nga Hamasi në Izrael nuk i përkasin asnjërit prej pengjeve të zhdukura, njoftoi ushtria izraelite të shtunën.
Sipas ushtrisë izraelite, mbetjet e tre trupave, të cilat u transferuan tek Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (ICRC) të premten në mbrëmje, u ekzaminuan nga një institut mjekoligjor në Izrael.
Të enjten, Hamasi kishte kthyer trupat e dy pengjeve izraelite, të identifikuar si Amiram Kuper dhe Sahar Baruh. Në Gazë tani kanë mbetur trupat e edhe 11 pengje të tjera të zhdukura.
Hamasi i ka kthyer gradualisht trupat në Izrael si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.
Hamasi thotë se e ka të vështirë t’i gjejë trupat nën rrënojat e ndërtesave dhe tuneleve të bombarduara, por Izraeli e akuzon atë për vonesa të qëllimshme.
Armëpushimi është në fuqi që nga 10 tetori, si pjesë e një plani për paqe, të paraqitur nga presidenti amerikan Donald Trump.
Më 13 tetor, sipas kushteve të marrëveshjes, Hamasi liroi të gjitha pengjet e gjalla në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë.




